Gjykata e Apelit liroi sot nga burgu dy nga katër punonjëset e spitalit “Shefqet Ndroqi”, të akuzuar nga prokuroria si bashkëpunëtore me Tire Alldervishin.

Infermierja Sidorela Kola dhe sanitarja Rukie Hoxha do të hetohen në masën “detyrim paraqitje” ndërsa mbeten në burg dy infermieret Mira Bushi dhe Sheqere Koçi.

Vendimi i Gjykatës së Apelit erdhi pas ankimimit që avokatët mbrojtës i bënë masës me afat 45 dite që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë.

Sipas Antoneta Sevdarit avokates që mbron infermieren Sidorela Kola vetë gjykata është shprehur ne vendim se nuk provohet bashkëpunimi i të pandehurave me Tire Alldervishin

“Vetë në vendimin e gjykatës thuhej se nuk ka prova që të kenë bashkëpunuar me Tire Alldervishin”

Ndaj tyre u vendos masa e sigurisë “Detyrim me paraqitje”

Ndërsa për dy infermieret e tjera, Mira Bushi dhe Sheqerie Koçi nuk u pranua ankimimi pasi nuk ishte bërë konform rregullave, raporton Ora News.

Tre infermieret dhe sanitarja u arrestuan më 8 shkurt 2021 pasi u akuzuan se kishin krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitojnë sa më shumë në kurriz të pacientëve të sëmurë me sëmundjen e Covid-19 dhe familjarëve të tyre.

Ata akuzohen për kryerjen e vepres penale te ”Shpërdorimit te detyrës” dhe ”Mashtrimit” parashikuar nga neni 248 dhe 143/2 i K.Penal

Hetimet e prokurorisë pas arrestimit të Tires sanitares e cila u arrestua se i mori 8 mln lekë vajzës së një pacienteje të sëmurë me Covid-19 zbuluan se kjo ishte vetëm maja e ajsbergut dhe se ajo kishte bashkëpunuar dhe me të tjerë.

Ditët e fundit prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka zgjeruar hetimin ne lidhje me rastin e denoncuar ne media. Krahas mungesës së shërbimit nga ana e infermiereve dhe sanitareve si dhe shperdorimit të detyres nga ana e tyre, organi i akuzës ka nisur hetimet edhe për mjekët që e kanë patur ne kujdes pacienten, nëse jemi përpara një mjekimi të pakujdeshëm.

Skema tek “Shefqet Ndroqi”