Opozita e bashkuar ka lënë të kuptohet se në zgjedhjet e 25 prillit do të dalë me dy koalicione.

Por analisti, Ilir Demalia, thotë se kjo do të shpërndajë votën e elektoratit dhe opozita do ta ketë në disavantazh.

Këtij argumenti, Demalia i shton edhe krijimin e partive të reja, që gjithashtu sipas tij do të marrin vota nga opozita, më saktësisht nga elektorati gri.

Demalia: Rama vepron gjithmonë për të krijuar konfuzione dhe fituar kohë. Duke fituar kohë realizon qëllimet e tij. Për mua do të ishte më mirë që opozita shqiptare të përfaqësohej si e tërë sesa e ndarë në dy kampe opozitare të cilat do të luftojnë për të kërkuar votat për kampin e tyre. Është ndryshe kur garohet në bllok. Kur kemi 2-3 ndarje elektorati shpërndahet. Kam parasysh edhe partitë e reja që janë futur në lojë. Këto janë parti që ndikojnë negativisht në votën e opozitës, nuk do të marrin votë nga Rama. Do të marrin vota nga pjesa gri që është e diskutueshme për opozitën. Këto parti kanë hyrë për interesa të vogla. Kanë qenë pjesë e kësaj loje vetë për 30 vjet. Për ti bërë të ballë të keqes Rama, largimi i të cilit është bërë dosmodoshmëri unë mendoj se duhet të bëhemi bllok me opozitën me gjithë gjynahet që ka kjo opozitë në 30 vite tranzicioni.

Për Rtv Ora, Demalia është tejet kritik nga dalja në skenë e partive pak muaj para zgjedhjeve.

Demalia: Personalisht jam për sistemin mazhoritar. Këto parti të vogla historikisht janë përdorur nga ata që marrin pushtetin. Mënyra e prostituimit të këtyre partive që shkojnë herë nga pozita dhe herë nga opozita tregon se nuk kanë kolonë vertebrare. Këto hyjnë në zgjedhje vetëm për të përfituar për këtë organizim bande të vogël  duke i dhënë vota pushtetit për ta mbajtur në pushtet. Janë buishta, eksperienca e këtyre partive përveç LSI që ka krijuar një profil të saj, të tjerat janë inekzistente. Kanë një apartament që e quajnë seli partie, kanë dhe një çelës, kanë dhe një vulë, marrin dhe fonde nga shteti, taksapaguesit. Pse partitë shqiptare nuk bëjnë transparencë për financat, nga del ky luks i madh fushatarsh, e kanë detyrim ligjor por aty nuk ka ligj. Nga dalin? Në një vend të varfër.

Lidhur me zgjedhjet e fundit në PD dhe LSI, ai mjaftohet me këtë koment.

Demalia: Asgjë e re nga fronti i perëndimit, asgjë e re nga partitë  e djathta. Farsë. Nuk ka si të ketë demokraci në Shqipëri kur nuk ka kulturë demokratike. Në Shqipëri veprojmë me klane.

Lidhur me debatin mbi manipulimin e të dhënave të vdekjeve nga Covid, Demalia thotë se këtë çështje e zgjidh vetëm Prokuroria.

Demalia: Gjërat duhen faktuar, që ka manipulim me Covid është edhe në Europë dhe Amerikë, po shfrytëzohet politikisht. Fshehja e 600 të vdekurve më duket absurde. Duhet të ndërhynte drejtësia, nuk kemi arbitër. Kur Basha bëri denoncimin duhet të hynte prokuroria dhe të hetonte a ka një çështje të tillë. Këto debate janë retorikë koti.

Në fund një koment edhe për refuzimin e Trump për të pranuar humbjen e zgjedhjeve presidenciale.

Demalia: Amerika ka institucione, ka mekanizma, ka gjyqësor, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Ka ndodhur që nuk kanë shkuar në ceremoninë e inagurimit. Kjo që bën Trump që është i humbur, nuk ka asnjë shans që ai pas datës 21 janar të qëndrojë qoftë dhe një orë në Shtëpinë e Bardhë.E ka bërë demokracinë amerikane qesharake në sytë e botës, ka bënë në pikëpyetjen sigurinë amerikane.Kjo sjellje e tij është e paprecedent. Tani edhe njeërz që kanë votuar për Trump tani… Erdhi si aksident politik dhe po largohet si një mësim për të ardhmen që të mos përsëritet më një trampizëm i tillë.

Intervista në studio me gazetaren Besmira Pelushaj, përgatiti për online Besjana Kuçana