Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt nuk i ndal tenderat pa garë apo ku konkurrentët nuk paraqesin asnjë ofertë.

Procedurat e ndjekura për pastrimin e kryeqytetit janë më të fundit ku ky fenomen bie qartë në sy.

Në dhjetor të vitit 2020 në kryeqytet u hap gara për kompanitë që do të  ofronin këtë shërbim.

Por me shpalljen e fituesit, u rikthye fenomeni shpesh i renditur me flamur të kuq.

Për zonën numër 1 në Tiranë morën pjesë Kevin Construksion, Pastrime Silvio dhe Ante Group shpk.

Çuditërisht, dy të parat nuk paraqitën fare ofertë duke shkuar kështu direkt drejt eleminimit dhe duke lënë të vetmin operator në garë Ante Group me një ofertë 553.7 milionë lekë.

Por në të njëjtën mënyrë Kevin Construksion dhe Pastrime Silvio kanë vepruar edhe në garën për pastrimin e zonës 4 në Tiranë.

Sërish ato janë futur në garë pa paraqitur ofertë por në këtë rast pjesëmarrëse kanë qenë edhe Fusha e Korsel Shpk.

Kevin Construksion dhe Pastrime Silvio janë skualifikuar automatikisht ndërkohë që fituese është shpallur kompania Fusha pasi kishte paraqitur ofertën më të ulët prej 861.6 milionë lekësh.

Çuditërisht teksa fusha shpallet fituese në zonën katër, kjo kompani humb për zonën dy, ku fitues mbetet ish konkurrenti. Korsel shpk në këtë rast ofertoi 33.6 milion lekë.

Ofrimi i shërbimit të pastrimit në tre zona të kryeqytetit do të kushtojë më shumë se 1.4 miliardë lekë të reja pa TVSH.