Nuk kanë asnjë pikë uji, një orë në këmbë të mbushin ujë me krah në lumin Osum

Duket sikur janë pamje të shekullit të kaluar, por me këtë situatë përballen çdo ditë banorët e fshatit Blush në Kolonjë.

40 km larg qytetit të Ersekës në rubinetat e tyre nuk kanë pikë uji, që nga korriku, madje dhe në atë kohë uji vinte 1 orë në ditë. Herë me çanta krahu, e herë me kafshë detyrohen të mbushin ujë 1 orë larg në lumin Osum.

“Nuk na dëgjon njeri. Ja dhe shkarpat I Nuk kemi ujë. Kemi vajtur deri në lumin Osum për të mbushur ujë, kemi që në muajin korrik pa ujë dhe shkojmë e mbushim në lum. Kemi shkuar shumë herë në bashki për tu ankuar por nuk na dëgjon njeri por kur afrohen zgjedhjet vijnë”, shprehen banorët.

Kjo zonjë e revoltuar, thotë se nuk ka ujë për të larë rrobat e fëmijëve.

I themi bashkisë, qeverisë, nuk na dëgjon njeri. Shkojmë në lumin Osum I tërë fshati të mbushë ujë. Nuk na dëgjon njeri. Aq të vështirë e kemi, po nga tia mbajmë. Fëmijët i kemi larg. Lava plaçkat dhe vajta ti shpija atje poshtë” thotë një çift të moshuarish.

A lahen rrobat e reja me këtë ujë, e kemi shumë të vështirë të jetojmë në këtë gjendje, ku të shkoj ti laj rrobat e djalit kur s kemi ujë. Kur i duan votat vijnë i kërkojnë kurse ne ujin e mbushim ne lumë”, shprehen banorë të tjerë.

Duhet me papjetër një makinë fuoristradë që të shkosh në këtë fshat. Rrugët janë të degraduara.

Bashkia Kolonjë me kryetar Erion Isain,  ka premtuar disa herë ujin për banorët por një premtim i tillë nuk është mbajtur, dhe me afrimin e stinës së dimrit situata bëhet edhe më e rëndë.