Deri në 6 miliardë lekë përllogaritet të shkojë fatura e dëmeve të përmbytjes në zonën e Nënshkodrës. Bashkia e Shkodrës po bën gati faturën që do t’ia dërgojë qeverisë, që e ka refuzuar me argumentin, se dëmshpërblimi është detyrë e pushtetit vendor. Në luftën mes institucioneve, banorët rrezikojnë të mos marrin asnjë qindarkë ashtu në vitin 2018, kur dëmet u vlerësuan por nuk u paguan.

Pas 46 ditëve përmbytje uji është tërhequr dhe në zonën e Nënshkodrës ka nisur evidentimi i dëmeve.

Alban Sekja, drejtues i Komisionit të Vlerësimit, thotë se fatura do ti shkojë qeverisë dhe këtë vit për herë të parë do të ketë të përfshirë edhe dëmtimet e veprave publike.

“Do të bëhet evidentimi i dëmeve për të gjitha ato shtëpi, banesa individuale dhe patjetër me tokë bujqësore, sepse e shohim situatën në terren me 40 e ca ditë në ujë. Situata është shumë më e rëndë se në 2018. Fatura financiare do të jetë mjaft më e madhe se në 2018 pavarësisht se në 2018, bashkia ka bërë të njëjtën punë.”

Por ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, që në nisje të procesit e ka bërë të qartë qëndrimin e qeverisë.

“Kjo është puna e bashkisë, nuk është detyrë e qeverisë. Është detyrë e çdo bashkie. Ju e dini që ligji i emergjencave civile i ndryshuar në Republikën e Shqipërisë, i jep përgjegjësi bashkisë për të pasur një fond special deri në 4% për të përballuar këto emergjenca civile.”

Përplasja mes bashkisë Shkodër e Qeverisë la banorët e Nënshkodrës pa dëmshpërblime në vitin 2018, skenar të cilit i tremben edhe këtë vit.

“Na kanë borxh tash 10 vjet dhe nuk na kanë dhënë asnjë gjysmë leku, kjo fushë ka qenë edhe më keq se kështu.”

“Nuk kërkojmë asgjë më shumë se me na zhdëmtu dëmin që na ka bërë shteti shqiptar.”

Fatura e 2018-ës shkoi në afro 4 miliardë lekë, ndërsa kjo e këtij viti pritet të shkojë mbi 6 miliardë sipas parashikimeve të para.

LEXO EDHE

Shkodra përllogarit dëmet e përmbytjes, Ademi: Duhet të përballohen nga Buxheti i Shtetit

Kush do dëmshpërblejë të përmbyturit në Shkodër? Qeveria e bashkia ia kalojnë topin njëra-tjetrës