Partia Demokratike do të regjistrojë nesër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kolicionin për zgjedhjet e 25 prillit. Me emrin “Shqipëria Fiton”  do të pagëzohet ky koalicion, ndërsa Lulzim Basha ka në dispozcion deri të mërkurën në orën 12 të natës, që të detajojë marrëveshjen me të gjithë aleatët pasi Kodi Zgjedhor kërkon që marrëveshja e koalicionit duhet te përmbajë jo thjesht partitë pjesëmarrëse, por edhe numrin e kandidatëve që secila forcë politike do të ketë në çdo qark.

“Shqipëria Fiton!”  Me këtë emër do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni që do të udhëhiqet nga Partia Demokratike e në përbërje do të ketë Partinë Republikane, Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partinë Demokristiane, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partinë Agrare Ambientaliste dhe disa parti të tjera të vogla.

Por ndërsa Basha është dakortësuar me aleatët për të dalë në një koalicion, ende nuk ka përmbyllur detajet mbi përfaqësimin e tyre në listë të përbashkët. 

Ditët e fundit takimet janë shtuar, por Fatmir Mediu, ende  nuk ka arritur një dakortësi përfundimtare me Bashën,  për vendet që kjo forcë politike do të ketë në atë që njihet si listë e sigurtë.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe kryetari i demokristianëve Nard Ndoka dhe ai i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Ndërsa Dashamir Shehi ka marrë garancinë se do të jetë në listën e Tiranës, por ende nuk i është përcaktuar zona që do të përfaqësojë.  

Deri më tani, Basha ka mbyllur marrëveshjen me Shpëtim Idrizin dhe Agron Dukën, por ende nuk janë bërë publike detajet.

Ajo çfarë dihet është fakti se kreu i PAA-së është 1 nga 3 emrat e sigurtë në listën e Durrësit. 

Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, Kodi Zgjedhor dhe aktet  e dala në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, marrëveshja duhet të detajohet në  kërkesën për regjistrim, ku krahas partive pjesëmarrëse saktësohet edhe numri i  kandidatëve që secila forcë politike do të ketë në çdo qark.