Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj,ka deklaruar në vitin 2015, se do donte që të mbahej mend si Kryebashkiaku dhe ekipi që do ndërtojnë më shumë parqe se sa pallate, por sot që kanë kaluar pothuajse 5 vite, pamjet dhe faktet tregojnë krejt të kundërten.

Prej ditësh, gazetari i Ora News, Ronaldo Sharka, i ka kërkuar qytetarit  të parë të Tiranës, Z. Veliaj  një prononcim për betonizimin e Tiranës, por Veliaj ka refuzuar të flasë, madje në disa raste badigardët dhe policët e Veliajt kanë përdorur edhe forcën për të larguar gazetarin.

E ndërsa Ora News dhe Rtv Ora vazhdojnë të kërkojnë një sqarim nga Veliaj lidhur me ndërtimin e kullave, Veliaj kur sheh gazetarin në hyrje të Bashkisë, makina e tij nxiton për tek hyrja tjetër, për të shpëtuar nga nga mikrofoni i Ora News.

Madje, në disa raste makina e Veliajt vjen bosh në hyrje të Bashkisë pasi mëson se aty ndodhet gazetari dhe mikrofoni i Ora News, ndërsa Veliaj futet në Bashki, por se nga ku, nuk dihet.